Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka dhënë një intervistë ku ka theksuar se Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020 ka mbetur pa u zbatuar për shkak të orientimit joperëndimor të qeverisë aktuale të Kosovës. Ai theksoi se kjo marrëveshje ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për forcimin e raporteve ndërkombëtare të Kosovës.
Ai ka zbuluar se një nga arsyet kryesore të rrëzimit të qeverisë së parë të krijuar me Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë refuzimi i kryeministrit aktual, Albin Kurti, për të nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit.
“Bile, qeverinë e parë që e kemi pasur me këta që tash janë në qeveri, ne e kemi rrëzuar për këto arsye, për shkak të refuzimit të kryeministrit aktual të Kosovës që të shkojë në Shtëpinë e Bardhë dhe ta nënshkruajë këtë marrëveshje,” tha Hoti.
Një aspekt i rëndësishëm i Marrëveshjes së Uashingtonit, sipas Hotit, ka qenë njohja e Kosovës nga Izraeli, një hap historik që ka hapur dyert për njohje të tjera ndërkombëtare. Ai theksoi se ky akt ka qenë i rëndësishëm për shtimin e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe për sigurimin e mbështetjes për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, si dhe për integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.