Dje u zhvillua një aksion i Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë, ndaj disa inspektorëve të ATK-së në Gjakovë. Tre të arrestuarit, Dukagjin Nikaj, Afrim Gjokaj dhe Elhami Qorkadiu, dyshohet se kërkuan dhe pranuan ryshfet nga pronarët e bizneseve në periudha të ndryshme.
Policia ka konfirmuar se, duke zbatuar masa hetimore, janë siguruar prova që tregojnë se tre të dyshuarit, me qëllim përfitimi pasuror, kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash dhe mallra materiale nga pronarët e bizneseve në Gjakovë.
Më 20.01.2025, me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe në koordinim me prokurorin, janë kontrolluar tri objekte të banimit të dyshuarve (dy në Gjakovë dhe një në Pejë), ku janë siguruar prova materiale lidhur me rastin.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar:
- 11,600 Euro në para të gatshme
- Katër telefona mobil
- Një IPOD
- Një pasaportë e Republikës së Shqipërisë
- Një letërnjoftim i Republikës së Shqipërisë
Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe, me aktvendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.